Trepça shkatërron Pejën në “Minatorin” e zjarrtë – një hap larg finales së madhe
Trepça e ka “demoluar” Pejën në një ndeshje për t’u harruar për pejanët, ku humbën nga Trepça me rezultat 123-79. Kjo është humbja më e thellë e Pejës ndaj Trepçës në historinë e klubit. Trepça ishte më e mirë që nga fillimi e deri në fund dhe me plot meritë arriti këtë fitore të madhe në “Minatorin” e zjarrtë. Më të mirët te Trepça ishin, si zakonisht, Drilon Hajrizi – legjenda e basketbollit mitrovicas – me 26 pikë, 3 kërcime dhe 2 asistime, si dhe Jacori Payne me 16 pikë, 5 kërcime dhe 8 asistime. Ndërsa te Peja u dalluan Dequan Bracey me 23 pikë, 2 kërcime dhe 4 asistime, si dhe Cesare Edwards me 18 pikë dhe 5 kërcime. Me këtë fitore, Trepça është një hap larg finales së madhe, ku me një fitore eventuale në “Karagaç” do të sigurojë kualifikimin. Ndeshja e katërt gjysmëfinale zhvillohet të dielën në “Karagaç” me fillim nga ora 19:30 dhe transmetohet në Art Sport 2.
