Tifozët shpërthejnë: dështimi i sistemit të biletave dhe ndryshimet e papritura krijojnë krizë në playoff


Tempulli “Minatori”, për herë të parë në histori të KB Trepça - në gjysmëfinale të playoff-it, rrezikon të mbetet pjesërisht i zbrazët — jo për mungesë interesi, por për shkak të vendimeve të papërgjegjshme të “Federata e Basketbollit e Kosovës”.


Platforma “Kick Tick” është kthyer në pengesë serioze për tifozët. Nuk funksionon si duhet, nuk përballon as fluks minimal dhe në vend që të ndihmojë, po bllokon hyrjen e publikut në palestër. Në një fazë ku çdo vend duhet të jetë i mbushur, FBK ka krijuar një situatë absurde ku tifozët nuk arrijnë as të blejnë bileta. Për më tepër, sot gjatë mesditës sistemi i “Kick Tick” ka rënë plotësisht, duke e bërë të pamundur qasjen për një periudhë kohe.

Më shqetësuesja është koha kur po bëhen këto “eksperimente”. Playoff-i nuk është vend për prova. Në vend që të sigurohet organizim maksimal dhe palestra të mbushura, FBK po rrezikon drejtpërdrejt atmosferën dhe të ardhurat e klubeve.


ArenaBasket ka hasur në informacione që ngrenë dyshime se kjo platformë mund të ketë lidhje me emrin Devolli, megjithatë kjo mbetet e pakonfirmuar zyrtarisht. Duke pasur parasysh lidhjet e njohura të Devollit me “Federata e Basketbollit e Kosovës” përmes sponsorizimeve dhe bashkëpunimeve në basketbollin kosovar, kjo shton pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së platformës dhe interesat që mund të qëndrojnë pas saj.


Shitja online e biletave është një hap pozitiv, por duhet të realizohet përmes platformave të testuara dhe funksionale. Aplikimi i një sistemi të paprovuar pikërisht në playoff është i papranueshëm, duke qenë se kjo është faza kur interesimi i tifozëve është maksimal dhe palestrat duhet të jenë të mbushura. 

Për më tepër, struktura e faqes është ndryshuar plotësisht krahasuar me prezantimin fillestar nga FBK dhe “Kick Tick”. Fillimisht ishte premtuar mundësia për zgjedhjen e ulëseve, ndërsa tani sistemi ofron vetëm ulëse “random” në tribunë, duke rritur edhe më shumë pakënaqësinë te tifozët.




Mbetet e pakuptueshme pse këto ndryshime nuk janë testuar gjatë sezonit të rregullt apo në Kupën e Kosovës. Playoff-i kërkon organizim serioz dhe stabilitet, jo eksperimente që dëmtojnë drejtpërdrejt klubet dhe tifozët. Pse nuk u testua kjo gjatë sezonit? Pse jo në Kupë? Pse pikërisht tani, kur çdo ndeshje ka peshë maksimale?

Pakënaqësia e tifozëve është në rritje të madhe. Shumë prej tyre po kërkojnë hapur rikthimin e biletave fizike, duke e konsideruar këtë sistem si të pasigurt dhe të papërshtatshëm. Madje, sipas disa reagimeve, ka raste kur pagesa kryhet, por bileta nuk dërgohet fare — një pretendim që, nëse rezulton i vërtetë, përbën një skandal edhe më të madh.



Deri më tani, për këtë situatë ka reaguar vetëm KB Trepça, duke sqaruar se menaxhimi i sistemit të biletave online nuk është në përgjegjësinë e klubit. Klubi ka theksuar se përgjegjësia bie mbi FBK-në dhe “Kick Tick”, duke u distancuar plotësisht nga ky proces.

ArenaBasket u bën thirrje klubeve që të marrin masa të menjëhershme dhe të rikthejnë shitjen fizike të biletave duke filluar nga kjo fundjavë. Në fund, pasojat i bartin tifozët dhe klubet, jo “Federata e Basketbollit e Kosovës”.


Popular posts from this blog

Ishte pjesë e Bashkimit për pjesën pranverore – Rami Hadar e merr në ekip

Peja-Trepça - LIVE